Kaloni te përmbajtja

KUSH JEMI

Rreth nesh

Kisha “Guri i Themelit i Shqipërisë” mori jetë përpara 20 nëntorit 1995. Që nga ato mbledhje të para, ne gëzojmë privilegjin e të qenit pjesë e një familjeje shpirtërore që rritet vazhdimisht në përmbushjen e misionit të saj.

HISTORIA JONË

Si u bë Guri i Themelit një Familje në Mision

Kisha jonë, e quajtur “Guri i Themelit të Shqipërisë”, e nisi jetën përpara datës 20 nëntor 1995. Kësaj date i përket komunikimi më i hershëm i dokumentuar, ku përmendet ‘kisha e re’. Shumë prej detajeve dhe rrethanave të lindjes së kishës sonë janë zbehur në kujtesën tonë dhe kanë humbur një pjesë të rëndësisë së tyre. Megjithatë, gëzimi dhe privilegji i të qenit pjesë e një familjeje shpirtërore, që rritet në kuptimin e misionit të vet, vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot.

Jemi një kishë që vepron së bashku si një familje

Menjëherë pas festimit spontan të fillimit të kishës në vjeshtën e vitit 1995, u përcaktuan përgjegjësitë e drejtuesve dhe të pjesëtarëve të tjerë të bashkësisë. Gjithashtu, u bë e qartë se kishim një grup bazë udhëheqësie me përgjegjësi të ndryshme për mbarëvajtjen e shërbesës sonë si bashkësi. Brenda tij veçuam atë që e quajtëm “grupi i vizionit”, i cili do të merrej me përkufizimin e tipareve tona kuptimore. “Grupi i madh” ishte bashkësia që mblidhej në takimet tona të përjavshme për të kënduar lavdërime, për të adhuruar, për të dëgjuar predikimin nga Bibla, për t’u lutur dhe për të kaluar kohë së bashku. Ky grup mund të arrinte nga 25 deri në 30 veta, ose më shumë në raste të veçanta, por theksin e vinim te grupet e vogla që ne i quanim “qeliza”. Edhe sot, që jemi shumë më tepër në numër, besojmë se qelizat janë vendi më i përshtatshëm për të ushqyer jetën e besimit, duke i kushtuar çdo individi vëmendjen e duhur, si në një familje.

Jemi një kishë me grup udhëheqësie

Qysh nga fillimi, ne e mendonim udhëheqësinë si një grup. Sipas dhuntive të ndryshme në mësim, drejtim apo menaxhim, do të kishim “pastorin mësues”, “pastorin drejtues” apo atë “administrues”. Të gjithë këta “pleq drejtues” ishin pastorë dhe do të kujdeseshin për nevojat e gjithë bashkësisë, duke siguruar mbarëvajtjen e punëve të ndryshme. Kuptimi ynë për udhëheqësinë ka mbetur i ngjashëm: një formë “presbiteriane”, me disa drejtues që ne i quajmë thjesht “pleq” (sepse na pëlqen të theksojmë pjekurinë dhe jo funksionin). Për arsye funksionale, njëri prej tyre mund të jetë i pari mes të barabartëve, por kjo nuk nënkupton një hierarki me një pastor si president të bashkësisë. Përkrah pleqve, ne kemi edhe “djakonët”, burra dhe gra, të cilët ndihmojnë në realizimin e punëve të bashkësisë.

Jemi një kishë biblike në vazhdimësi historike

Në fillim të vitit 1996, “grupi i vizionit” kishte formuluar doktrinat bazë që besojmë nga Bibla në një formë të përdorshme për mobilizimin e anëtarëve të bashkësisë. Bukuria e kësaj përpjekjeje qëndron te njohja e asaj që kemi të përbashkët me kishat e ndryshme, por besnike ndaj Biblës, nëpër botë dhe përgjatë gjithë historisë, si dhe e veçorive të kishës sonë në këtë kohë dhe në këtë vend.

Jemi një kishë doktrinalisht ungjillore, por jodenominacionale

Doktrina jonë si kishë përfshin shumë më tepër sesa mund të përmblidhet në një dokument prej pak faqesh. Megjithatë, këta parametra biblikë, teologjikë dhe pastoralë ose filozofikë për shërbesën tonë të krishterë mbeten edhe sot të mjaftueshëm për të orientuar përpjekjet tona për ungjillëzim, dishepullizim dhe ndërtimin e besimtarëve, që ata të jenë dritë dhe kripë kudo. Përgjatë këtyre viteve, në kishën tonë janë ushqyer shpirtërisht qindra besimtarë që sot janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme dhe bashkësi të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj. Po ashtu, shumë nga gratë dhe vajzat e kishës sonë janë martuar dhe u janë bashkuar kishave të burrave të tyre. Ndihemi të bekuar nga lidhjet e shumta që janë krijuar përmes kontributit të gjatë të kishës sonë në përhapjen e ungjillit.

Jemi një kishë partnere në mision

Gjatë viteve të fundit, ne jemi përpjekur të reflektojmë në një mënyrë të re për misionin e kishës sonë dhe kemi arritur në këtë formulim të vizionit tonë: “Si një Familje në Mision ne ndihmojmë çdo njeri të jetë dritë dhe kripë, në mënyrë që bota të pajtohet me Perëndinë në Krishtin”. Kur flasim për “botën”, flasim si njerëz që tashmë janë përfshirë në misionet e Perëndisë në vende të ndryshme të saj. Këtë e kemi bërë duke mbështetur financiarisht misionarët që kanë dalë nga kisha jonë, por edhe nga kisha partnere. Udhëtimet misionare çdo vit, kryesisht për rininë studentore të kishës sonë, janë bërë të mundura falë partneritetit me organizata dhe kisha të ndryshme. Ne jemi gjithmonë të hapur për partneritet me kisha dhe organizata të trupit të Krishtit në Shqipëri dhe nëpër botë.

Jemi një kishë e brezit të ri

Kisha jonë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një kishë e përkushtuar ndaj brezit të ri. Lidhja jonë e ngushtë me shërbesën studentore të Institutit “Jeta e Re” ka qenë dhe do të mbetet një shprehje e qartë e këtij përkushtimi: të qëndrojmë pranë të rinjve, të kujdesemi për ta dhe t’i ndihmojmë të orientojnë jetën e tyre gjatë viteve të rëndësishme të jetës studentore. Ne besojmë se tani është koha që të pajisim këtë brez të ri besimtarësh shqiptarë për të kontribuar në shërimin e shoqërisë sonë, duke sjellë vlerat e Ungjillit të dashurisë së Perëndisë në jetën profesionale, akademike, artistike, kulturore, politike dhe në biznes, si dhe duke forcuar familjen, bazën e çdo shoqërie të shëndetshme.

Jemi një kishë vizionare

Ne besojmë se tani është koha të ngrejmë lart flamurin e ungjillit, jo vetëm me fjalë, por edhe me jetët e transformuara të anëtarëve të familjes sonë, të cilët do të tregojnë me vepra fuqinë transformuese të ungjillit. Shqipëria ka nevojë për shembuj të prekshëm transformimi, prandaj ne bashkohemi me të gjithë besimtarët e krishterë që luten që çdo njeri të njohë dikë në brezin tonë që e ndjek Jezusin besnikërisht. Ne besojmë se deri në vitin 2020 Perëndia mund të bëjë realitet këtë vizion ekspozues të gjithë shqiptarëve me bukurinë e Jezusit në jetët e ndryshuara të atyre që e ndjekin Atë besnikërisht, prandaj me fjalët e Palit drejtuar Kolosianëve, themi: "Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke e këshilluar dhe duke e mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit ti paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje."

Libri i kishës

Shfletoni librin për të njohur më shumë nga historia dhe jeta e kishës.

Njihuni me ne nga afër

Gjeni oraret e takimeve, vendndodhjen dhe mënyrat për të na kontaktuar.