Kaloni te përmbajtja

Rreth nesh

Vizioni

Si një Familje në Mision, ndihmojmë çdo njeri të jetë dritë dhe kripë, që bota të pajtohet me Perëndinë në Krishtin. Ungjilli është zemra e familjes sonë dhe burimi i gjithçkaje që bëjmë, duke na drejtuar si një kishë ungjillore ku besimi dhe shpengimi përmes Krishtit janë themeli i çdo veprimi.

“Si një Familje në Mision ne ndihmojmë çdo njeri të jetë dritë dhe kripë, në mënyrë që bota të pajtohet me Perëndinë në Krishtin.”

Kisha, ashtu si shumë realitete të tjera në këtë botë, ka dimensione të ndryshme. Për ta njohur me të vërtetë, duhet të përfshiheni personalisht në jetën e saj.

Kjo mënyrë e shprehjes së vizionit tonë bazohet në atë se si ne bëhemi një familje përmes besimit biblik në Zotin, sipas ungjillit që është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo” dhe që thotë: "... tani pavarësisht nga ligji [feja], është manifestuar drejtësia e Perëndisë,...nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë...ata që besojnë...sepse...janë shfajësuar falas me anë të hirit të Tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus" (Romakët 3:21–24).

Ungjilli është zemra e familjes sonë dhe burimi i gjithçkaje që bëjmë; si familje në mision, mbi të gjitha jemi një kishë ungjillore.

Vlerat tona

Çfarë na bën ata që jemi?

Çfarë është e rëndësishme për ne ndërsa synojmë të funksionojmë si qelizë e gjallë e trupit të Krishtit?

Dashuria

Prioriteti ynë më i lartë është ta duam Perëndinë dhe t’i shërbejmë Atij. Ky është qëllimi që i jep përmbushje jetës sonë. Duke kuptuar se, kur jemi në Krishtin, jemi edhe në trupin e Tij, ne jemi të përkushtuar ndaj dashurisë vëllazërore për njëri-tjetrin, duke e konsideruar tjetrin më lart se veten.

Besimi

Shpëtimi është vetëm me besim. Besimi është siguria e gjërave që nuk shihen. Meqenëse vetëm me besim mund të kënaqim Perëndinë, ne do të synojmë gjëra kaq të mëdha, saqë do të dështonim patjetër nëse Ai nuk do t’i bënte vetë nëpërmjet nesh.

Ndershmëria

Është përgjegjësia e çdo besimtari të jetojë në përputhje me të drejtën dhe të ndershmen, si skllav i drejtësisë dhe shenjtërisë në Jezus Krishtin. Kjo do të thotë ta jetojmë besimin e krishterë në bashkësi, në punë dhe kudo tjetër.

E vërteta

Zoti është absolut dhe gjithë e vërteta vjen nga Zoti. Zbulesa e së vërtetës i vjen njeriut me anë të Biblës, Fjalës së Zotit. E vërteta do të jetë synimi ynë, ndërsa ecim me Frymën e Shenjtë. Ne do të përpiqemi të qëndrojmë gjithmonë në të vërtetën.

Si jetojmë së bashku

Çfarë bëjmë ne si bashkësi në veprim, si qelizë e gjallë dhe e shëndetshme?

Adhurimi dhe lutja

Adhurimi personal dhe i përbashkët, si dhe lutja këmbëngulëse, janë shtylla jetike të jetës së krishterë. Ndaj, ne do të jemi të përkushtuar të kërkojmë fytyrën e Perëndisë dhe të mësojmë frikën e Tij, duke u lutur dhe duke adhuruar në Frymë dhe në të vërtetë.

Ungjillizimi

Zoti është duke ndërtuar kishën e Tij, duke thirrur delet e Tij nga bota, duke shpëtuar individë dhe duke i futur në familjen e Tij. Ai na thërret të bëjmë dishepuj nga të gjitha kombet, jo vetëm në Shqipëri, duke i pagëzuar dhe duke i mësuar. Pas adhurimit të Perëndisë, pjesëmarrja në luftën për shpëtimin e të humburve është përpjekja më e rëndësishme në jetën tonë.

Dishepullizimi

Duke synuar të arrijmë pjekurinë në Krisht, ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë njëri-tjetrin, që çdo pjesëtar, duke u ushqyer me të vërtetën, të pajiset për çdo vepër të mirë. Duam që secili të njohë dhe të ushtrojë plotësisht të gjitha dhuntitë e tij, për të mirën e gjithë bashkësisë.

Bashkëmiqësia

Jemi të udhëzuar të mblidhemi bashkë në bashkëshoqëri me njëri-tjetrin dhe me Krishtin në Darkën e Zotit. Jemi të përkushtuar të jetojmë si popull i Zotit, me popullin e Zotit dhe për popullin apo familjen e Zotit.

Shërbimi dhe kujdesi

Shërbimi dhe dhënia janë më përmbushëse se marrja. Këto duhet të jenë tipare të bashkësisë sonë si familje. Përkushtimi ynë është të kujdesemi për çdo pjesëtar të bashkësisë dhe ta ndihmojmë duke i qëndruar pranë kur ka nevojë.

Disiplina

Ligji i familjes së Perëndisë është shenjtëria. Prandaj heshtja, përkrahja apo refuzimi për të mbajtur qëndrim ndaj shkeljeve të këtij standardi me mëkate dukshëm të rënda, pa shenjë pendimi, nuk përputhet me shenjat e kishës së vërtetë, ndër të cilat është edhe disiplinimi i perëndishëm. Disiplina e zbatuar sipas parimeve të dhëna në Bibël ka për qëllim ruajtjen e shëndetit dhe të unitetit të trupit, ndërsa nderohet Perëndia duke ndihmuar individin të kthehet në rrugën e drejtë. Shkrimi i Shenjtë na mëson të kemi një dashuri të thellë që mbulon një shumicë mëkatesh, pra na thërret për një shpirt durimi dhe faljeje, ashtu si vepron Zoti me ne.

Bamirësia

U shërbejmë me mëshirë njerëzve në nevojë, si t’i shërbenim Krishtit.